Nga Shqipëria / E Hënë 8 Shkurt 2021, 11:11

Rama: Do të rrisim gjobat për ata që shkelin rregullat anti-Covid

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një konferencë për mediat ditën e sotme. Gjatë konferencës ai ka deklaruar se përgjatë javëve të fundit është vënë re një neglizhencë në zbatimin e masave.

Rama u ka bërë thirrje të gjithëve, por kryesisht biznesmenëve, tregtarëve, që të tregohen më të kujdesshëm, përndryshe Policia e Shtetit do t'ua imponojë zbatimin e masave. Ai tha se në ditët në vijim do të rriten gjobat për lokalet, baret, qendrat tregtare.

“Po e nënvizoj për të gjithë, duke filluar nga tregtarët të cilët gjithë fleksibilitetin, të gjithë motivimin e autoriteteve shtetërore për të mos i ngarkuar psikologjikisht por dhe për të mos i frenuar në rimëkëmbjen e vështirë, nuk duhet që ta marrin si një mundësi për të abuzuar, pastaj dhe më radhë dhe të gjithë tjetër, por sigurisht tregtarët kanë një rëndësi të posaçme pasi janë mjediset e tyre pasi aty është dhe rreziku më i madh.

Nëse nuk duan të kthehemi tek masat e forta kufizuese, duhet që sot të mos kërkojnë të nxjerrin maksimumin duke vënë në rrezik jetën e njerëzve. Policia e shtetit ka pasur një fleksibilitet maskimal. Nuk kam që policia të hyjë dhe të dalë nëpër lokale, bare, sepse kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar. Por nëse nga ana e tregtarëve nuk ka reagim të menjëhershëm, patjetër që do ndodhë kështu. Policia e shtetit do të imponojë zbatimin e masave. Natyrisht me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t'i rrisim së shpejti, në ditët në vijim do të rrisim gjobat, për lokalet, baret, qendrat tregtare dhe do të bëjmë një shkallëzim sipas hapësirave dhe kushteve për abuzim”, tha ai.