Nga Shqipëria / E Martë 2 Shkurt 2021, 21:09

'Po më dridhet trupi për bukë', zbulohen mesazhet e tjera që pacientja i dërgonte Tires

Sonte emisioni "Stop" ka publikuar të tjera detaje të rënda të sanitares Tire Alldervishi që i mori 8 milionë Lekë të vjetra vajzës së pacientes që vdiq nga koronavirusi, me qëllim që t’i shërbente. Pacientja e ndjerë i dërgonte mesazhe përgjëruese Tires ku i lutej për t’i dhënë ushqim.

Në datën 6 Dhjetor në mëngjes, pacientja e ndjerë i drejtohej Tires: “Të hënksha m****, hajde 1 sekondë”.

Por 45 minuta më vonë, Tirja nuk ishte dukur dhe pacientja e kërkonte sërish me dëshpërim.

“O Tire, hajde të hënksha m****. Ku je? Hajde”.

Në 12 Dhjetor, në orën 09:30 të mëngjesit, pacientja që vuante edhe nga diabeti, ende nuk kishte ngrënë mëngjes dhe i lutej Tires:

“O Tire, po më dridhet trupi për bukë. Po më bie diabeti, hajde shpejtë”.

Pas gjysmë ore, pacientja sërish e pangrënë, i përgjërohet sanitares Tire Alldërvishi: “Të thashë më jep çik bukë, më ike”.

Më 13 Dhjetor në drekë, sërish lutje për vaktin e radhës.

“Kur do të ha bukë. S’ma bërë insulinën, të lutem hajde pak. O Tire hajde pak të lutem”.

Pesë ditë më pas, më 15 Dhjetor në mëngjes, e ndjera i drejtohej sërish asaj që e paguante për t’i dhënë një copë bukë: “Pse më tradhtove? Jam keq. Më kthe përgjigje”.

Por Tirja i thoshte: “Mirëmëngjes teze. Jam në shtëpi, jo në punë”.

Në këtë pikë, komunikimi bëhet gjithmonë e më i dëshpëruar pasi edhe pacientja po jetonte fundin e saj.

“Të du shumë, hajde pak. Hajde më jep pak ujë. A je në punë? Hajde më vrit me duart tuaja dhe ik”.