Nga Shqipëria / E Shtunë 30 Janar 2021, 12:12

‘Furnizimi nis të hënën’, Rama tregon 3 skenarët e vaksinimit kundër Covid-19

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama ka bërë një bashkëbisedim me qytetarët në Korçë. Ai ka folur rreth vaksinës së Koronavirusit. Rama ka njoftuar se nga e hëna furnizimi do të nisë me një sasi më të vogël se ajo e premtuara, por sasia do të rritet përgjatë ditëve.

Kryeministri ka treguar për qytetarët tre skenarët e vaksinimit. Sipas skenarit të parë, vaksinimi do të kryhet për 14 muaj, sipas të dytit për 18 muaj dhe sipas të tretit 22-24 muaj. 

"Kemi një kontratë me Pfizer për 500 mijë doza e rinovueshme. As ne nuk bëjmë përjashtim nga e përgjithshmja, nuk i patëm në kohë vaksinat, kemi marrë konfirmimin që do të nisë furnizimi nga Pfizer ditën e hënë, shpresoj mos marrim  njoftim tjetër. Do nisim me një sasi më të vogël se e premtuara po do të vijnë duke u rritur shpejt. Jemi afër dozës së dytë për ata që e kanë marrë dhe në momentin që nis furnizimi do kemi mundësi ta shtrijmë shumë shpejt për ju, mjekët e infermierët. Kemi negociata të avancuara me Astrazenecan, janë disa vaksina të tjera që janë rrugës për të dalë. Është një luftë e paimagjinueshme interesash e prapaskenash për të gjetur shtegun për të qenë më afër vaksinës. Nuk do të kemi mungesa si doza. Unë jam shumë optimist që nga pikëpamja e kapaciteteve si doza nuk do të kemi mungesa, planin e kemi me 3 skenarë. I pari është që ta kryejmë vaksinimin për 14 muaj. Skenari tjetër është 18 muaj dhe tjetri ose 22 ose 24 muaj në mos gaboj. Ne do të jemi në rrugën e duhur edhe në këtë aspekt”, është shprehur Rama.