Nga Shqipëria / E Mërkurë 27 Janar 2021, 20:08

Pipero u infektua me Koronavirus, Silva Bino: Ja pas sa javësh arrihet mbrojtja e vaksinës

Mjeku Pëllumb Pipero është infektuar nga Koronavirusi, rreth dy javë pas dozës së parë të vaksinës. Në një intervistë për “Abc News”, anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Silva Bino është shprehur se vaksina nuk të siguron mbrojtje të menjëhershme.

Ajo ka theksuar se duhet të kalojnë deri në 6 javë nga faza e parë, në mënyrë që të arrihet mbrojtja. Bino ka shtuar se vaksina nuk e ndalon transmetimin e Koronavirusit por sëmundjen, që do të thotë se një person mund të marrë virusin dhe ta transmetojë tek të tjerët, pa shfaqur forma të rënda.

“Problemi është se nuk kam qejf të flas shumë për Pëllumbin se është një figurë e njohur. Por duke qenë se është bërë objekt diskutimi. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Fakti që bën vaksinën nuk do të thotë se patjetër je i mbrojtur menjëherë. Nuk krijohen antitrupat menjëherë. Fakti që Pfizer e ka dozën e dytë pas tre javësh do të thotë se arrijmë një reagim të mirë pas 3 javësh. Ne i mbështetemi të dhënave që ka Pfizer. Deri tani nuk mund të themi se ke mbrojtjen të plotë. Deri në dy javë pas dozës së dytë mbrojtja shkon në 95 %.

Duhet të kalojnë pra 6 javë nga doza e parë që të arrish një mbrojtje. Kjo vlen për të gjitha llojet e vaksinave. Vaksina ndaj koronavirusit ne themi se nuk ndalon transmetimin por sëmundjen. Si vaksina e gripit. Ti mund ta marrësh virusin dhe ta transmetosh atë. Ti për vete mund të kalosh një formë fare të lehtë të sëmundjes. Mund ta transmetosh tek të tjerët por vetë nuk ke formë të rëndë”, është shprehur ajo.