Është arrestuar një infermiere tek Infektivi, e cila akuzohet t’i ketë vjedhur para një pacienti me koronavirus që ndërroi jetë. E arrestuara është 30-vjeçarja R. H.,banuese në Durrës.
Rasti është denoncuar nga emisioni Stop në Tv Klan javën e kaluar.
Pas arrestimit, infermierja ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ajo akuzohet për vjedhje dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
Djali i të ndjerit kishte bërë denoncim në Komisariatin Nr.4 të Policisë së Tiranës dhe rastin e kallëzoi edhe në emisionin Stop. Ai tha se babai i tij kishte në portofol 200 mijë Lekë të vjetra. Pasi i ati ndërroi jetë, stafi i spitalit i ktheu portofolin e të atit, por mungonin 200 mijë Lekë të vjetra dhe karta e bankës së bashku me letrën ku ishte kodi PIN.
Emisioni Stop nga investigimi zbuloi se paratë nga bankomati ishin tërhequr në 3 raste të ndryshme nga 200 mijë Lekë, në total 600 mijë Lekë. Dëmi i shkaktuar është vjedhja e 800 mijë Lekëve të vjetra së bashku me paratë cash në portofol.
Burimi: tvklan.al
