Ditën e sotme, në një lidhje direkte për "Shqipëria Live" ishte Esmeralda, vajza që la të birin në derën e shtëpisë së Elvirës dhe Elezit. Çifti janë kujdesur për djalin si të ishte i tyri, ndonëse me shumë vështirësi ekonomike.

Esmeralda tregoi se ditët e saj kanë qenë të mbushura me vuajtje dhe vështirësi. Ajo është braktisur nga prindërit që 6-muajshe dhe është rritur nga halla. Aty ajo ka përjetuar dhunë dhe torturë fizike, prandaj është larguar për në Greqi, ku ka jetuar 2 vite.

Në Greqi ka punuar në një diskotekë, ku 5 persona kanë abuzuar seksualisht me të. Pak para se të kthehej në Shqipëri, vajza ka zbuluar për shtatzëninë. Esmeralda tha se nuk kishte një vend ku të qëndronte dhe endej rrugëve. Për këtë arsye ajo e ka lënë djalin në shtëpinë e çiftit rom.

Sot pas 11 vitesh, ajo ka komunikuar me Elvirën në emisionin "Shqipëria Live". Elvira i tha se dera e shtëpisë së saj është e hapur për të kurdoherë dhe se mund ta konsiderojë si nënë.
"Ajo paska vuajtur gjithë jetën, asaj nuk i dua asgjë tjetër. Vetëm ajo të vijë ta shikojë sa herë të dojë djalin. Siç kam vuajtur unë, paska vuajtur dhe ajo...gjithë jetën e saj. Esmeralda kur të dojë të vijë, mua më ka si nënë, jo si gruaja që ka rritur fëmijën e saj, mua do më ketë si nënë dhe do ta ketë derën hapur. Unë do jem nëna e dytë për atë", i tha ajo.
Esmeralda e falenderoi për çdo gjë, duke u shprehur mes lotësh: "Shumë, shumë faleminderit për çdo gjë, të kam borxh jetën time, ma bëj hallall për çdo gjë të lutem".
