Nga Shqipëria / E Premte 22 Janar 2021, 15:03

La djalin në shtëpinë e çiftit rom, nëna biologjike rrëfen historinë rrënqethëse: Më përdhunuan 5 vetë...

Pak ditë më parë në "Shqipëria Live", një çift nga komuniteti rom, Elvira dhe Elezi, treguan se 10 vite më parë një vajzë 19-vjeçare kishte lënë në derën e tyre një djalë të porsalindur.

Elvira tha se e kanë rritur djalin me shumë sakrifica dhe vështirësi ekonomike, por e duan si të jetë djali i tyre. Së fundmi, e ëma biologjike e vogëlushit, Esmeralda, ka kontaktuar emisionin "Shqipëria Live" dhe ka treguar pse u detyrua ta braktiste.

Ajo ka rrëfyer se është rritur nga halla, pas ndarjes së prindërve të saj. E ëma e ka lënë te ajo kur ishte vetëm 6-muajshe. Esmeralda ka treguar se ka bërë një jetë shumë të vështirë, me dhunë dhe tortura fizike.

Ajo ka jetuar në Greqi për rreth 2 vite dhe ka punuar në një diskotekë, ku është përdhunuar nga 5 persona. Esmeralda ka rrëfyer se është detyruar ta braktisë të birin, pasi nuk kishte një vend ku të qëndronte dhe ishte e frikësuar se do i vdiste nga i ftohti.

"Unë jam rritur te halla ime sepse mami dhe babi janë ndarë. Më ka lënë mami te halla 6 muajshe Kam vuajtur shume sepse më kanë rrahur, më kanë torturuar. Kush kishte mundësi i pari më rrihte. Te halla kam jetuar deri në moshën 11 vjeçe, pastaj kam ikur për Greqi se nuk i duroja dot më të rrahurat. Babi nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë.

Kam ikur me një grup nga Lezha dhe Elbasani. Policia greke na ka ndjekur por kam shpëtuar. Rrija te një familje greke dhje punoja. Kam ndenjur 2 vite e ca. Pastaj erdha në shtëpi, rrija nëpër rrugë, në shkallët e pallatit, krejt e vetme. Kam qenë gjithë kohën rrugëve. Mora vesh që jam shtatzënë, para se të vij në Shqipëri. Ai djali që jetoja më nxori jashtë sepse tha nuk dua të femra që kanë fëmijë me burra të tjerë. Kam punuar në Patra, në një diskotekë, aty më kanë përdhunuar 5 vetë.

Kam lindur djalin në Shkodër sepse atje po kërkoja një shtëpi për të jetuar. Sepse kisha gjetur një lokal të punoja. Ika te halla, dy ditë e mbajtën. Pastaj ika nga shtëpia e hallës. Shkova të punoj më tha halla hajde te shinat e trenit të flasim, isha djalin në duar, më tha nuk të mbaj dot më sepse burri i gocës nuk do kurva me fëmijë.

Pyeta një shok më tha a mund të gjej njeri. Më mori me vete më çoi te Elvira. Ajo ishte shumë e dashur, shumë e respektueshme. I bëri të gjitha si të ishte nëna e djalit. Unë nuk e njihja. Më çoi kushëriri i saj te ajo. Më tha që kjo grua ka ëndërr të ketë një djalë sepse kishte vetëm dy vajza.

Nuk i thashë se kisha frikë se ajo s’do ma mbante çunin, çfarë do të bëja me të rrugëve, kisha frikë se do të vdiste nga i ftohti. Në atë moment pasi ika, nuk doja asgjë tjetër, vetëm të vdisja, humba edhe djalin, nuk kisha asnjë, pse të jetoja”, ka treguar Esmeralda.