Nga Shqipëria / E Enjte 21 Janar 2021, 17:05

Mësim online apo në auditore? Merret vendimi për studentët

Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli ka deklaruar se pas diskutimeve të bëra, është marrë një vendim në lidhje me ecurinë e procesit mësimor. Rakacolli ka bërë me dije se studentët do të vazhdojnë me mësimin online, së paku dhe për një periudhë tjetër kohore.

“Krahas orës policore dhe ndërprerjen e fluturime me Britaninë, menduam që edhe mësimi në universitet të vijojë online. Qëndrimi në konvikte e shton rrezikun e infeksionit dhe mund të shndërrohen në vatra. 

Tirana ka numrin më të lartë të rasteve dhe shumica e universiteteve janë të përqendruara në Tiranë, ardhja e studentëve dhe shkuarja në shtëpi bën që të shpërndahet infeksioni edhe në ato qytete që e kemi në kontroll situatën. 

Pas diskutimeve të shumta, vendosëm që në të mirë ta vazhdojmë edhe pak këtë, pasi është në të mirë të shëndetit të vetë studentëve dhe të shëndetit publik. Nuk është vendim i marrë vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës”, ka deklaruar ajo.

Burimi: "Abc News"