Mbrëmjen e sotme në "Fiks Fare" është transmetuar rasti i një mashtrimi, ndërmjet rrjeteve sociale. Një familje nga Mamurrasi është ankuar në redaksinë e emisionit, duke treguar ngjarjen.
Ato kanë rënë pre e një mesazhi të tillë, nga një "qytetare franceze": “Dua të dhuroj 985.000 euro. Emri im është zonjë Viviane. Unë nuk mund të jetoj gjatë në këtë tokë. Kam humbur burrin dhe nënën në aksident. Unë dëshiroj ta dhuroj këtë shumë për të gjithë ata që kanë nevojë”. Në mesazh thuhej po ashtu se gruaja vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte në prag të vdekjes.
Familja nga Mamurrasi ka paguar në total 370 euro, të cilat sipas mashtrimit duhet të "përdoreshin" për të disbursuar shumën.
“Në fillim na kërkuan 312 euro gjoja për të rregulluar letrat. Ne nuk patëm atë shume dhe nisëm, megjithë lekët e komisionit të bankës, 100 euro. Ia dërguam këtë shumë dhe ata na kërkuan sërish 500 euro. U thamë se nuk kemi më shumë. Më pas na kërkuan 250 euro, pasi me këtë shumë bëhej edhe kalimi i të gjithë shumës. Në total, megjithë komisionin, kemi paguar 370 euro. Këto shuma i kemi paguar në bankë dhe pikat e transfertave të parave”, ka treguar familja për "Fiks Fare".
Ato kanë shtuar se iu kanë kërkuar akoma më shumë para dhe aty e kanë kuptuar që ishte mashtrim.
Burimi: "Top Channel"
