Nga Shqipëria / E Mërkurë 20 Janar 2021, 21:09

Rekord i zi/ Britania e Madhe në alarm, 1.820 viktima nga Koronavirusi në 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit, 1.820 qytetarë kanë humbur jetën nga Koronavirusi në Britaninë e Madhe. Që nga fillimi i pandemisë, ky është numri më i lartë i viktimave të shënuara brenda një dite.

Numri i përgjithshëm i jetëve të humbura ka shkuar në 93.290. Ditën e djeshme u shënua po ashtu një numër i lartë viktimash, 1.610 qytetarë humbën jetën.

Kryeministri britanik, Boris Johnson është shprehur se janë në një garë kundër kohës për të vaksinuar njerëzit e pambrojtur. Ai i ka paralajmëruar të gjithë qytetarët se javët në vazhdim pritet të jenë të vështira.

"Duhet t'i paralajmëroj njerëzit se do të ketë javë të vështira, por me vaksinën dhe përshpejtimin e programit të vaksinimit, mendoj se gjërat do ndryshojnë nga pranvera", ka deklaruar ai.

Kujtojmë se brenda 24 orëve të fundit në Britani janë raportuar 33.355 raste të reja me Koronavirus, duke e çuar në 3.466.849 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.