Nga Shqipëria / E Shtunë 16 Janar 2021, 16:04

Universitetet mbyllur por kafet hapur, ministrja Manastirliu sqaron vendimin

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se mësimi në universitete do të vazhdojë online, deri në një njoftim të dytë. E pyetur nga gazetarët përse kafet vazhdojnë hapur, ndërsa universitetet mbyllur, Manastirliu tha se ky vendim është marrë për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 te moshat e reja. 

“Rritja e numrit të rasteve të reja me Covid në grupmoshën e re është një ndër arsyet se pse do të vijojë që mësimi në universitete të vijojë online. Situata patjetër është në ndjekje dhe vendimet do të merren në bazë të saj. Nga të dhënat e deri më tanishme epidemiologjike që ne kemi mësimi do të vijojë që të jetë online. Besoj se dhe universitetet kanë pasur kohën e nevojshme për përgatitjen e platformave online. Vendimi është deri në një urdhër të dytë, deri në një tjetër vlerësim në javën e ardhme për të rivlerësuar vendimet që ne marrim. Fokusi është shëndeti dhe jeta e qytetarëve ne mbi këtë nisemi”, tha ministrja.