Në një konferencë për mediat ditën e sotme, ministrja Manastirliu ka reaguar mbi rastin skandaloz në spitalin Covid-2, ku një sanitare, e quajtur Tire Alldervishi, u hoq si infermiere dhe mori 8 milion lekë nga vajza e një pacienteje me Koronavirus.
Manastirliu tha se është ngritur një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë që do të kryejë një verifikim të plotë për çdo akuzë në spitalin Covid-2. Po ashtu, ministrja deklaroi se do të ketë zero tolerancë dhe ndëshkim maksimal për individët që godasin marrëdhënien e shenjtë të besimit mjek-pacientë.
“Këto janë ditë të mira. Është ditë e mirë sa herë një qytetar bën denoncim me fakte dhe na jep mundësinë për të larguar këta çibanë nga sistemi ynë shëndetësor. Nuk ka dyshim se këta individë nuk mund të përfaqësojnë armatën e mjekëve.
E them këtë sepse siç pamë rastin e qytetares që denoncoi mund të kemi tjetër rast që mund të denoncojë që unë i falënderoj, kemi edhe mijëra të tjerë që janë falënderues për ata mjekë që janë në krye të punës.
I siguroj qytetarët se do të kenë bashkëpunimin tonë. Është ngritur një grup punë nga Ministria e Shëndetësisë që do të kryejë një verifikim të plotë për çdo akuzë në spitalin Covid2", tha ndër të tjera ministrja Manastirliu.
