Nga Shqipëria / E Hënë 11 Janar 2021, 16:04

Bëri vaksinën e Koronavirusit, flet kryeministri Rama: Jemi çliruar nga një barrë e madhe

Ditën e sotme kryeministri Rama ka bërë vaksinën e Koronavirusit. Ai bëri të ditur që është vaksinuar për të dhënë një mesazh ndërgjegjësues te qytetarët dhe për t'i bindur se vaksina është e sigurt.

Pas vaksinimit, Rama ka dhënë një intervistë për mediat. Kryeministri është shprehur se çdo gjë ka kaluar pa asnjë problem dhe se Shqipëria është çliruar nga një barrë e madhe.

"Çdo gjë në rregull. Asnjë problem. Mendoj se është një ditë fantastike për faktin se jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe. Barra e përgjegjësisë për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në radhë dhe për të mundësuar, pavarësisht se, Shqipëria dhe rajoni ku ne bëjmë pjesë, nuk u përfshi në skemën e furnizimit të menjëhershëm, të fillonte me sa më pak diferencë kohe nga ata të cilët kanë dhe gurin dhe arrën në dorë dhe i marrin vendimet dhe bëjnë dhe furnizimet. Ky spostim fare pak javor në kohë është një lehtësim i madh për mua. Tani shqiptarët mund të presin pa ankthin a do vijë a s’do vijë vaksina. Vaksina nuk është e detyrueshme por e këshillueshme dhe duhet të çlirohen nga marrëzitë dhe helmet e burimeve të konspiracionit", është shprehur ai.