Procesi i vaksinimit do të nisë këtë të hënë në orën 15:00. Kështu njoftoi kryeministri në konferencën e përbashkët me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Rama tha se vaksinimi do ta bëjnë fillimisht personat që janë në vijën e parë dhe zbuloi se vaksinën do ta bëjë sot për të treguar se është e sigurt dhe për të dhënë mesazh ndërgjegjësues tek qytetarët.
“Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin që vaksina jo vetëm është e sigurt por edhe për t’ju thënë të gjithëve se dokrrat me çipa apo transformim të ilirëve në aziatik janë qesharake. Siç e kanë bërë edhe kolegë të mitë do ta bëj edhe unë. Meqë kemi një grup konspiracioni të afektuar nga llumi i rrjeteve sociale do ta bëj siç e kanë bërë kolegët e mirë, nuk do të dëshiroja që t’i zija rrallën askujt, por do ta bëj sot vetëm për këtë arsye”, tha Rama.
Rama shtoi se vaksina nuk është e detyrueshme me ligj.
“Vaksina nuk është e detyrueshme me ligj, por është ama që për tu mbrojtur nga ky armik. Në orën 15:00 do të nisë vaksinimi dhe procesi i fushatës”, tha kryeministri.
