Nga Shqipëria / E Hënë 4 Janar 2021, 11:11

Ditë zie për artin/ Ndërron jetë aktori i njohur shqiptar

Sot është një ditë e trishtë për artin shqiptar. Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare aktori i  njohur Xhemil Tagani. Tagani ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare.

Ai u lind në Tiranë, më 6 shkurt 1945, ndërsa në karrierën e tij artistike ka interpretuar mbi 70 role në teatër.

Ndër rolet e tij si më të arrira përmenden: Agroni te “Shokët”, Alqi te “Studentja e vitit të fundit”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Uçi te “I pazvëndësueshmi”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Ina te “Arturo Ui”, Peç Mbloçi te “Lumi i vdekur”, Reizi te “Duke u gëdhirë viti 1945”, Samiu te “Kështu të dua”, Thomai te “Nën dritat e skenës”, te “Kryqi i bardhë”, etj.

Tagani ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij të mbi tre dekadave.