Nga Shqipëria / E Enjte 31 Dhjetor 2020, 16:04

Çmimet Xing: Qazim Rasha shpallet Personazhi i vitit 2020

"Xing.al" edhe këtë vit shpall Personazhin e vitit. Në sondazh morën pjesë njerëz që kanë dhënë një kontribut social, një mesazh të fuqishëm, kanë bërë vepra bamirësie ose patriotike, kanë promovuar Shqipërinë ose i kanë shërbyer një të mire publike.

Me 20% të votave, "Personazhi i vitit 2020" shpallet Qazim Rasha, i ati i 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra nga një efektiv policie. Pas humbjes së të birit, ai tregoi një shembull qytetarie dhe dinjiteti. Rasha i dhuroi të gjitha paratë që iu mblodhën për kurimin e një vajze 11-vjeçare nga Shkupi, e cila vuan nga skolioza.

Në vend të dytë, me 17% të votave shpallet Elvis Naçi, imami, bamirësi dhe presidenti i Fondacionit Firdeus. Naçi është një figurë shumë e dashur nga shqiptarët dhe ka ndihmuar shumë familje në nevojë.

Në vend të tretë, me 14% të votave shpallet mjekët. Mjekët kanë sakrifikuar jetën e tyre, familjet, duke u kujdesur për të sëmurët me koronavirus në spitalet Covid.