Nga Shqipëria / E Mërkurë 30 Dhjetor 2020, 21:09

Çmimet Xing: Votoni personazhin e vitit 2020

"Xing.al" edhe këtë vit shpall Personazhin e vitit. Në sondazh marrin pjesë njerëz që kanë dhënë një kontribut social, një mesazh të fuqishëm, kanë bërë vepra bamirësie ose patriotike, kanë promovuar Shqipërinë ose i kanë shërbyer një të mire publike. Pjesë e sondazhit janë:

Pëllumb Pipero, Tritan Kalo, Skënder Brataj dhe Najada Çomo – Katër mjekët që u gjendën pranë publikut këtë vit me këshillat e tyre mbi pandeminë.

Mjekët – Nuk mund të mos përfshinim në këtë sondazh edhe të gjithë mjekët e tjerë që kanë sakrifikuar jetën e tyre, familjet, duke u kujdesur për të sëmurët me koronavirus në spitalet COVID.

Stresi – Reperi deklaroi se ka organizuar protestat pas vdekjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha. Protestat bënë të ngriheshin qytetarë të tërë në revoltë në disa qytete të vendit dhe shkaktuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt.

Qazim Rasha –Një shembull qytetarie dhe dinjiteti tregoi babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha, i cili kërkoi vetëm drejtësi dhe bëri thirrje për shuarjen e protestave. Ai bëri një gjest shumë fisnik me paratë që iu mblodhën pas humbjes së të birit. Ai i dhuroi të gjitha për kurimin e një vajze 11-vjeçare nga Shkupi, të quajtur Adisa, e cila vuan nga skolioza.

Tre policët shqiptarë që luftuan terroristët - Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të nëntorit në Vjenë ishin shqiptarë, mes tyre mbesa e ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Arbër Hajdari – Me fondacionin e tij “Fundjavë ndryshe”, Arbëri i ka sjellë buzëqeshje shumë njerëzve në nevojë edhe këtë vit.

Elvis Naçi – Imami është gjithashtu çdo vit pjesë e sondazhit me bamirësitë e tij.

Agron Shehaj – Ish-deputeti dhuroi 2 respiratorë për pacientët me Covid, për spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe mblodhi fonde për të blerë edhe respiratorë të tjerë.

Zhaklina Dhimojani – Dhuroi respiratorë, 40 shtretër spitalorë, 6 furgona, mjete të ndihmës së shpejtë, 2 zjarrfikëse dhe materiale të tjera ndihmë.

Valmir Aliçkaj – I riu nga Deçani dhuroi veshkën e tij për një 19-vjeçare, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë, glomerulosklerozë Foke Segmentale.

Edi Rama – Kryeministri i vendit u përball me pandeminë e koronavirusit këtë mandat të dytë, teksa këtë vit pjesë e programit të tij ishte edhe rindërtimi pas tërmeteve.

Alketa Vejsiu – Është e para moderatore shqiptare që arriti të prezantojë në skenën e Sanremos duke shënuar kështu një tjetër sukses në karrierën e saj.

Dua Lipa – Këngëtarja me origjinë shqiptare arriti të bëjë histori me këngët e saj, duke thyer rekord në Spotify e duke u nominuar për 6 çmime Grammy.