Nga Shqipëria / E Mërkurë 30 Dhjetor 2020, 17:05

Arrihet dakordësia me Pfizer, Rama: Ja kur do nisë vaksinimi në vendin tonë

Qeveria shqiptare ka arritur dakordësinë me kompaninë amerikane Pfizer për nisjen e vaksinimit në vendin tonë. Vaksinimi do të nisë në muajin Janar bën të ditur në një postim në rrjetet sociale Kryeministri Edi Rama. 

“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar!”

Rama e quan të papranueshëm diferencimin që sipas tij Bashkimi Europian i bëri Ballkanit, megjithatë ai thotë se qeveria shqiptare nuk do të ndalet që të sigurojë deri në dozën e fundit të vaksinës.

“I papranueshëm moralisht, polikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!”, shkruan Rama.