Nga Shqipëria / E Hënë 21 Dhjetor 2020, 10:10

Varianti i ri i Covidit është 70% më shumë infektues, Europa mbyll dyert me Britaninë e Madhe

Pjesa kontinentale europiane izolohet nga Britania e Madhe për shkak të shfaqjes së një varianti të ri të Covidit. Autoritetet në Britaninë e Madhe kanë informuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë që mutacioni i koronavirusit, i gjetur në juglindje të vendit, mund të qarkullojë më shpejt se i vjetri.  Ekspertët thonë se bëhet fjalë për një variant që përhapet 70% më shpejt, por që deri më tani nuk rezulton më vdekjeprurës.

Ekspertët e OBSH-së thanë se së fundi janë zbuluar raste të të njëjtit mutacion edhe në Holandë, Danimarkë dhe Australi. Ndërkaq, shumë vende europiane përfshirë Gjermaninë, Danimarkën, Belgjikën, Holandën, Irlandën etj, kanë pezulluar transportin tokësor dhe ajror me Britaninë e Madhe deri në qartësimin e plotë të veçorive të mutacionit të ri.

Londra dhe rajoni juglindor i Anglisë  janë rikthyer mbylljes totale në prag të festave, për të frenuar edhe më tej përhapjen e virusit.

Rrugët e transportit e udhëtimit me Britaninë e Madhe gati janë mbyllur të gjitha. Është mbyllur porti shumë i rëndësishëm për Britaninë e Madhe, Dover në Kanalin e La Manshës, si edhe tuneli europian, i njohur si Eurotuneli.