Nga Shqipëria / E Premte 11 Dhjetor 2020, 13:01

Rama i përgjigjet kërcënimeve për djegie të qytetit: Ta harrojnë dorëheqjen e Veliut

Paralajmërimeve nëpër rrjet që kërkojnë dorëheqjen e Ardi Veliut, kryeministri Edi Rama i përgjigjet: Ta harrojnë. Përmes një postimi në twitter, Rama shkruan se gabon shumë rëndë ai që mendon se qytetaria e ministrit të Brendshëm është dobësi duke theksuar shteti është i qytetarëve dhe jo i barbarëve.

"Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!", shkruan Rama.

Rama paralajmëron se nuk do të lejohet askush të rrënojë që atë që është ndërtuar me mund dhe punë të madhe.

"Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!

Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë!"