Ministri i Brendshëm i dorëhequr, Sandër Lleshaj ka thënë në emisionin “Open” në Top Channel se ka dorëzuar dorëheqjen menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 8 dhjetor ku Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie.
Lleshaj u shpreh se vendimi ishte i tij dhe se nuk do ta kishte dhënë dorëheqjen nëse do ia kishte kërkuar kryeministri.

“Është komplekse. Jam larguar nga detyra me një brenge të këtij incidenti tragjik që shkaktoi vrasjen e një qytetarit të pafajshëm. Kjo më brengos. Ndihem i qetë dhe ndihem i çliruar nga një presion i madh, i padrejtë, i pandershëm. Nuk jam tipik sesi kam ardhur në këtë detyrë. Nuk kam aspiruar apo shpenzuar energji për të ardhur këtu. Jam thirrur për këtë pozicion. Kështu që nuk kam brengë për lënien e postit, përkundrazi kam një lehtësim të natyrshëm nga barra e një pozicioni jo normal. Ky post deri më sot ka vijuar të mbetet një pozicion i ndërlikuar. Nuk e di pse. Shqipëria është e veçantë se si i trajton ministrat e Brendshëm. Jam trajtuar mirë, përjashtuar dy tre ditët e fundit. Ka pasur një sulm të pandershëm dhe të padrejtë. Jam sulmuar politikisht, më kanë drejtuar gishtin persona që unë nuk jam si ata. Dorëheqjen e kam vendosur në çastin kur mora dijeni për rastin.
Eni Vasili: Nuk jua ka kërkuar kryeministri dorëheqjen?
Sandër Lleshaj: Në mënyrë kategorike jo dhe nuk besoj që do ta kisha dhënë po të ma kishte kërkuar. Vendimet morale i marr vetëm për shkak të ndërgjegjes time dhe jo prej rekomandimeve të askujt.
