Protesta e djeshme në kryeqytet për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i Shqiponjave ka çuar në pranga tre persona të dyshuar si organizatorë. Të arrestuarit janë të moshave, 21 vjeç, 29 vjeç, dhe 23 vjeç. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetesise publike”, “Shkaterrimit të pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim 8 persona të tjerë ndërsa 4 protestues po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Mes personave të shpallur në kërkim lidhur me protestën "abc news" raporton se është edhe reperi i njohur, Arkimed Lushaj (Stresi).
Stresi deklaroi dje në protestë se ishte rritur me të riun që u vra nga policia ndërsa kërkoi nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj të jepte dorëheqjen.
Nga incidentet kanë mbetur të lënduar 16 punonjës policie, efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë.
