“Unë e pashë që më ngriti dorën me sendin e dyshuar si pistoletë”, kështu ka thënë në rrëfimin e tij efektivi, tashmë i arrestuar për vrasjen e Klodian Rashës.
Njëri nga policët që ju vu pas dhe polici që po e ndiqte pretendon se në rrugica i riu i kërkonte mos ta ndiqte se do ta vriste dhe dëgjoi zhurmë të ngjashme me mbushjen e një pistolete. Polici thotë se Klodiano e flaku pistoletën miniblow në këtë rrugicë. Teksa policia pretendon se pistoleta miniblow u gjet shumë larg vendit ku u vra Klodian Rasha, polici që e qëlloi atë, në deklaratën e dhënë para prokurorisë pretendon se gjendej 20 deri në 25 metra larg tij.
“Unë e pashë që më ngriti dorën me sendin e dyshuar si pistoletë”, thotë efektivi, tashmë i arrestuar. Efektivi pretendon se u rrëzua për tokë dhe se nga andej e qëlloi Klodianin në gjymtyrët e poshtme.
“U ngrita në këmbë nga frika, teksa Klodian Rasha vraponte e qëllova sërish".
Klodian Rasha u rrëzua në hyrje të rrugicës që të çon në shtëpinë e tij, ku dhe ka dhënë shpirt. Prokuroria deklaron se pret ekspertizën e kamerave të sigurisë që do të vërtetojnë se çfarë itinerari ka ndjekur i riu dhe se çfarë ndodhi në vendin ku ai u qëllua me armë zjarri me dy plumba, njëri prej të cilëve nuk e preku kurse tjetri nga pas shpine i preku zemrën.
Burimi: top-channel.tv
