Nga Shqipëria / E Mërkurë 9 Dhjetor 2020, 15:03

U shtrua në gjendje të rëndë, Justina Aliaj drejt shërimit nga Covid: Doktorët më mbajtën gjallë

Muajin e kaluar artistja e madhe shkodrane Justina Aliaj u shtrua në gjendje të rëndë në spitalin infektiv pas infektimit me Covid. Por sot nga artistja vjen një lajm i mirë pasi ajo është drejt shërimit.

Pas disa ditësh në terapi intensive, Aliaj ka rrëfyer sot ditët e vështira që kaloi duke thënë se ka shpëtuar falë mjekëve.

“Sëmundjen që më zuri e kam përballuar vështirë dhe keq sepse nuk e dija diagnozën. Kështu rrodhën ditët me temperaturën 39 e gjysmë dhe vazhdoi mjekimi. Kjo zgjati dy tre ditë në shtrat dhe ishte një përjetim i tmerrshëm me një këputje të jashtëzakonshme me një lodhje mendore të jashtëzakonshme dhe muskujt sikur ishin shkëputur nga kockat.

Isha pa shpresë. E vetmja shpresë ishte se më mbajtën gjallë doktorët. Nuk e harroj asnjëherë. Ata vinin dhe më thonin se ti do dalësh nga këtu e shëndoshë. Tritan Kalo vinte me atë sigurinë e tij për të dhënë shpresën se do dalësh mirë.

Kam vetëm një apel për të gjithë popullin shqiptar, ata e dinë, e shohin, e kanë parë, shpresoj që nuk do e kalojnë këtë mënyrë, që na ka pllakosur në derë, ju lutem 1 mijë herë: Mos i hiqni maskat, maska sot është jeta juaj, mos provoni atë që provuam ne, ju mjafton eksperienca jonë”, shprehet Aliaj.