Nga Shqipëria / E Shtunë 5 Dhjetor 2020, 10:10

'Duhet t'i thotë më fal shqiptarëve', Rovena Stefa: Lus Zotin të mbyllet emisioni i Çanit

Deklarata e moderatorit Arian Çanit se "Ballkani ka qenë i gjithi helen", u bë virale pak muaj më parë. Asokohe këngëtarja Rovena Stefa reagoi publikisht duke kërkuar edhe bojkotimin e emisionit ‘Zonë e Lirë’.

E ftuar së fundmi në emisionin ‘Glamour Zone’ në RTV Ora, Rovena u shpreh nuk ishte penduar për fjalët e thëna dhe së asgjë nuk është thënë në gjaknxehtësi e sipër.

Ester Bylyku: Sa herë kërkoj për ty në Google, më del edhe emri i Arian Çanit. A mund ta di çfarë ke me të?

Rovena Stefa: Jo, unë nuk kam asgjë me Çanin, kam qenë edhe e ftuara e tij. Nuk kam folur vetëm unë për Çanin, kundra deklaratave për helenikët. Në vende të tjera, për deklarata të tilla, njerëz publik përfundojnë në burg. Foli në një mënyrë të tillë, duke përçmuar vendin, duke përçmuar historinë tonë, dhe kjo më preku, ndaj dhe reagova ashtu.

E pyetur nga moderatorja Ester Bylyku, nëse do të shkonte sërish në emisionin ‘Zonë e Lirë’, këngëtarja u përgjigj: Jo, jo, nuk do të shkoj më tek Çani. E kam mbyllur me Çanin. Unë vetë e kërkova bojkotimin e emisionit. Përderisa e kërkova për të tjerët, normalisht që nuk kam si shkoj unë. Shpresoj që Zoti t’ia mbyllë sa më shpejt. Nuk dua të keqen e Çanit, por për atë gjë që ka bërë, ose duhet të mbajë përgjegjësi, ose duhet t’i thotë ‘më fal’ të gjithë shqiptarëve.