Nga Shqipëria / E Mërkurë 2 Dhjetor 2020, 10:10

Britania e Madhe autorizon përdorimin e vaksinës kundër Covid-19

Vaksina e Pfizer dhe BioNTech kundër Covid-19 do të futet në përdorim javën e ardhshme në Britaninë e Madhe, ç'ka e bën vendin e parë në Europë që do lejojë përdorimin e vaksinës në popullatë.

Mediat vendase shkruajnë se qeveria britanike ka blerë 40 milionë doza. Vaksina e Pfizer dhe BioNTech është provuar dhe sipas studimeve ka një efikasitet 95%. 

"Autorizimi i sotëm i përdorimit emergjent në Mbretërinë e Bashkuar është një moment historik në luftën kundër COVID-19. Ky autorizim tregon se puna jonë dhe shkenca do të fitojë", u shpreh Albert Bourla, shefi ekzekutiv i Pfizer.

Sipas kompanive dozat e para të vaksinës do të jenë gati në ditët në vijim. Grupet e para me përparësi për vaksinimin janë stafet mjekësore e më pas të gjithë grupet e tjera të riskut.