Koronavirusi i ka marrë jetën biznesmenit të njohur shqiptar në Shkup, Enver Maliqi. Lajmin e bëjnë të ditur mediat në Maqedoninë e Veriut, të cilat raportojnë se Maliqi ka ndërruar jetë pas komplikacioneve si pasojë e Covid-19.

Biznesmeni kishte 10 ditë që kurohej në Klinikën për sëmundje infektive pas infektimit me virusin. Mjekët gjatë gjithë natës kanë tentuar që t’i shpëtojnë jetën, por ka qenë e pamundur.

Familjarët kanë njoftuar se sot do të bëhet ceremonia e varrimit duke u përkujdesur sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Maliqi aktualisht mbante edhe detyrën e zëvendëskryetarit të Shkupit. Ai njihej si biznesmen i suksesshëm, personalitet i shquar dhe ishte emëruar edhe konsull nderi i Meksikës.
