Disa javë më parë aktori shumë i dashur për publikun, Agron Llakaj njoftoi se ai dhe bashkëshortja e tij Kostandina fituan betejën me Covid-19. Llakaj tregoi se ata e kanë kaluar lehtë këtë infeksion, me ndihmën e mjekëve dhe vajzës së tyre Alkidës.

Sot bashkëshortja e aktorit, feston ditëlindjen dhe Llakaj ka vendosur ta urojë publikisht me një dedikim romantik e me një foto ku çifti shihet me nipërit dhe mbesën e tyre.

“E si mund të fillojë Dhjetori ndryshe?! Në ditëlindjen tënde shumë urime zemre, e dashur Kostandina ! Për buqetë zgjodha këtë foto ,kanë gjithë freskinë dhe bukurinë e luleve me aromë biri, Adea, Teos dhe Brus. Gëzofsh dhe për 100! Nuk festojmë dot siç do dëshironim, por do pimë dolli zemre e dashurie, le të dehemi! Gëzuar Kostandina 60-vjetorin”, shkruan Llakaj.


