Nga Shqipëria / E Premte 27 Nëntor 2020, 21:09

'Valët e muzikës përçojnë virusin', ministri Klosi: Kam studiuar elektronikë, i qëndroj deklaratës

Pak muaj më parë ministri Blendi Klosi, i ftuar në studion e Report T tha se valët e muzikës përçojnë Koronavirusin. Sipas tij, kjo është arsyeja pse nuk lejohet muzika pas orës 20:00. Deklarata e Klosit bëri bujë të madhe në media.

Mbrëmjen e sotme, i ftuar në "Radari Informativ" me Jonida Shehun, Klosi bëri të ditur se vijon t'i qëndrojë deklaratës së tij. Ai sqaroi se nuk është muzika ajo që vret, por kushtet që krijohen në ambiente të mbyllura.

“I qëndroj deklaratës për muzikën. Është shumë evidente, në vende ku ka muzikë të lartë nuk do duhet të rrihet. U kërkova ndjesë komunitetit të artistëve. Nuk të vret muzika, muzika, e lartë në ambiente të mbyllura, valët e muzikës, njerëzit flasin me zë të lartë, nuk duhet në vende të mbyllura me muzikë të lartë të qëndrojmë… ajo vala krijon..Kam mbaruar për elektronikë, e di si funksionon, qesha me ata që bënë humor", u shpreh ministri në "Abc News".