Shkollat prej 1 dhjetorit do të zhvillojnë mësim online dhe me prezencë fizike. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka zbuluar sot udhëzuesin për vijimin e vitit shkollor 2020-2021.
Sipas këtij udhëzuesi:
Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;
Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:
– Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.
– Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.
Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.
Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.
