Për shkak të rritjes rekord të rasteve ditore dhe numrit të viktimave nga Covid-19, autoritetet shëndetësore janë detyruar t’i kërkojnë Ministrisë së Arsimit që prej 1 Dhjetorit të aplikojë mësim të alternuar, online dhe në shkolla. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një deklaratë për mediat theksoi se mësimi do zhvillohet bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore.
“Të dashur qytetarë, ashtu siç e kemi përsëritur në këto javë, për ne shëndeti është i pari dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë, shëndeti dhe siguria e tyre, janë prioritet absolut. Deri tani, siç ekspertet analizojnë, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2. Rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar dhe në shifra. Por, për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore, kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur:
T’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 Dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin ne distance (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore”, u shpreh Manastirliu.
