Nga Shqipëria / E Martë 24 Nëntor 2020, 14:02

Anxhela Peristerin e shpallën fituese, reagon Era Rusi: Kjo është skandaloze

Së fundmi në media qarkulloi një lajm se Anxhela Peristeri është shpallur fituese e "Festivalit të Këngës në RTSH" dhe do të prezantojë Shqipërinë në Eurovision. Për më tepër u publikua adhe një listë, sipas të cilës këngëtarja ka marrë 322 pikë nga juria e Festivalit të Këngës.

I kontaktuar nga "Abc News", drejtori i festivalit të RTSH-së, Martin Leka ka deklaruar se fituesi nuk është shpallur dhe kjo është e pamundur pasi festivali akoma nuk është zhvilluar.

“Është e pamundur të dalë fituesi, kur festivali nuk është zhvilluar ende. Po e qartësoj që Festivali i Këngës do të mbahet në datat 16, 17 dhe 18 dhjetor. Gjithçka është bërë për shkak të interesave personal, nga njerëz që po mundohen të ulin figurën e festivalit të krijuar prej vitesh. Juria nuk është ajo e publikuar në media, emrat janë të tjerë”, tha Leka.

Ndërkohë pas këtyre lajmeve, ka reaguar edhe Era Rusi, një tjetër konkurrente e fortë për të fituar festivalin.

E ftuar këtë të martë në “Abc-ja e mëngjesit”, Era e cilësoi këtë ngjarje skandaloze, pasi sipas saj mediat janë bazuar tek një postim i marrë nga një profil personal në facebook.

"Personi që e ka bërë, e ka hedhur në facebook-un e tij personal, me një juri që e kishte zgjedhur vetë. Nuk mund të marrim për bazë çdo gjë që shkruhet nëpër facebook. Ishte një lojë mediatike dhe atij bravo i qoftë që i vuri në lojë. Kjo është skandaloze", tha Era.