Koronavirusi i ka marrë jetën regjisorit të njohur shqiptar, Muharrem Fejzos. Ai është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare.
Fejzo ndodhej prej ditësh i shtruar në spital, mirëpo fatkeqësisht nuk ka mundur ta fitojë dot luftën me Koronavirusin. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, me anë të një posimi në rrjete sociale.
“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s'të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”, ka shkruar i biri.

Filmi i parë i Fejzos titullohet "Montatorja", i vitit 1970. Para se ta realizonte, ai punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë "Prita" (1968) të Mithat Fagut dhe "Njësiti Guerril" (1969) të Hysen Hakanit.
Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin "Kapedani", komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.


