Nga Shqipëria / E Enjte 19 Nëntor 2020, 23:11

A po fshihen shifrat e të prekurve me Covid-19? Përgjigjet kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuari i mbrëmjes në emisionin "Real Story", të gazetarit Sokol Balla. Ai foli rreth situatës së krijuar nga Koronavirusi në vendin tonë, mes të tjerash dhe rreth akuzave për manipulimin e shifrave.

Rama deklaroi se akuzat nuk janë të vërteta, pasi statistikat nuk prodhohen nga qeveria.

“Për fat të keq ka jo pak njerëz që flasin në hava dhe që merren me gjysmëinformacione e gjysmë të vërteta gjatë gjithë kohës. E rëndësishme të theksohet është se qeveria nuk bën asgjë tjetër, veçse dëgjon me vëmendje ata që kanë mandatin shtetëror për të dëgjuar dhe nuk janë gazetarët, gjithollogët, por janë ekspertët e Komitetit Teknik dhe mbështet të gjitha orientimet e tyre. Statistikat nuk i prodhon qeveria. Këtu jetojmë në një kohë shumë të keqe për t’u përballur me këtë mortje, se jetojmë në kohën kur faktet duhet të bëjnë luftë të madhe për të mbijetuar përballë shpifjeve. Ne nuk jemi asgjëkundi në asnjë të dhënë më keq se sa e gjithë bota.

Mund të ishim dhe më keq se sa jemi, por fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur, pasi janë bërë gjërat e duhura dhe janë hedhur hapat e duhur në këtë proces të vështirë, që ka sfiduar gjithë botën. Faktikisht, kur Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Greqia, gjenden në prag të kolapsit të spitaleve, është e pakuptueshme se si mund të diskutohet në Shqipëri, a thua se kjo e keqe po i ndodh vetëm Shqipërisë dhe se njerëzit po vdesin vetëm këtu. Numri i vdekjeve në Shqipëri është për fat të mirë është ku e ku më i ulët se në vendet që përmenda më lart dhe është nën mesataren e vet rajonit”, u shpreh kryeministri.