Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani është infektuar me koronavirus. Lajmin e njofton vetë Osmani me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se pasi disa të afërm me të cilët kishte kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, është testuar edhe ajo dhe ka rezultuar pozitive.
Postimi nga Vjosa Osmani:
"Të nderuar qytetarë! Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.
Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.
Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.
Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!
Vjosa"
