Nga Shqipëria / E Martë 17 Nëntor 2020, 14:02

Humb jetën nga koronavirusi pedagogia në Universitetin e Tiranës

Faqja zyrtare e UT në Facebook ka dhënë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të pedagoges Irena Bogdani, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë. Në postim shkruhet se kolegët, studentët dhe miqtë e saj “do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytetatarie në marrëdhëniet njerëzore.”

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bën të ditur se profesoresha ka ndërruar jetë nga virusi. Në një postim në Facebook, ajo shkruan: “Për profesoreshë Irena Bogdanin në Universitetin e Tiranës ruaj mbresat më të mira nga shumë konferenca shkencore ku kemi marrë pjesë së bashku. Ajo ishte një akademike e profesioniste shumë e mirë dhe gëzonte respekt tek të gjithë kolegët e studentët. Shumë e pikëlluar për humbjen e saj të parakohshme nga virusi i pabesë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe gjithë të afërmit e saj. U prehsh në paqe profesoreshë Irena!”

Postimi i plotë i UT:

Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta në mënyrë të beftë kolegia jonë e shtrenjtë, Prof. Asoc. Irena Bogdani.
Ashtu siç jetoi dhe punoi me fisnikëri, urtësi dhe thjeshtësi, ashtu edhe u nda nga kjo jetë pa përzier askënd në vuajtjen e saj. Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte.

Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytatarie në marrëdhëniet njerëzore.

Dritë pastë shpirti i saj!