Komiteti Teknik i Ekspertëve ka rikthyer masat kufizuese në vend pas rritjes së rasteve me Koronavirus. Duke filluar nga e mërkura lëvizja do të kufizohet nga ora 22:00 deri në orën 6:00, si dhe do të mbyllen baret dhe restorantet në po të njëjtin orar.
E ftuar në "Opinion", ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sqaroi arsyen pse është vendosur ky orar për t'u mbyllur. Ajo tha se shkak janë bërë grumbullimet e të rinjve nëpër bare dhe restorante.
“Komiteti teknik ka bërë vlerësim shumë të imtësishëm të disa parametrave që karakterizojnë situatën epidemike. Prej ditës së mërkurë do të vendosen masat e kufizimit prej orës 22:00 të darkës deri në 6 të mëngjesit. Kjo do të bëhet në të gjithë territorin e vendit. Baret, lokalet restorantet, do të kufizohet aktiviteti i tyre nga ora 22:00 deri në 6 të mëngjesit, do të lejohet vetëm shërbimi delivery. Është vendosur ora 22:00 si një orë që praktikisht kishte të bënte me lëvizshmërinë dhe popullimin në bare dhe restorante. Klubet, baret, restorantet dhe grumbullimet janë vlerësuar si zona ku kishte një rrisk më të madh të përhapjes së virusit", tha ajo.
