Drejtoresha e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino në konferencën e Komitetit Teknik të Ekspertëve, ka njoftuar se është vendosur hyrja në fuqi e testeve të shpejta të cilat e nxjerrin përgjigjen për 40 minuta dhe që do të përdoren për kategori të caktuara.
"Do futen testet e shpejta që do të përmirësojë testimin dhe gjurmimin dhe do të ulë kohën e pritjes. Rezultati del për 40 minuta. Mund të kryhen pranë qendrave shëndetësore. Janë shume specifike që tregon se nëse testi del pozitiv ai është pozitiv dhe nuk ka pse të konfirmohet. Por mund të kemi fals negativ. Nëse kemi një test negativ që ka shenja klinike duhet të konfirmohet përmes PCR", tha Bino.
Bino tha se do të hiqet ritestimi për grupet pa risk pasi është vërtetuar që qytetarët e infektuar nuk janë më përhapës të virusit në ditën e 14 të sëmundjes edhe nëse janë pozitivë.
"Heqja e ritestimeve është hequr pasi ka rezultuar se personat që janë pozitivë nuk e transmetojnë sëmundjen. Këta persona nuk janë më infektues. Në ditën e 14 ata mendohen se nuk janë më infektues. Në persona që janë me rrisk ritestimi do të vendoset në bazë të një protokolli".
