Nga Shqipëria / E Diel 8 Nëntor 2020, 09:09

Humbi jetën pas disa ditësh në 'Infektiv', gjithçka duhet të dimë rreth Koço Devoles

Aktori i mirënjohur, regjisori dhe skenaristi, Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Ai ndodhej i shtruar prej ditësh në spitalin "Infektiv", pasi ishte infektuar me Covid-19.

Aktori u konfirmua negativ me datë 31 tetor dhe do të kthehej në shtëpi, mirëpo gjendja e tij shëndetësore u rëndua si pasojë e sëmundjes nga e cila vuante më herët, leucemia.

Kush ishte Koço Devole?

Devole lindi në Kuçovë me datë 28 nëntor, 1945. Përveçse një aktor i madh i humorit, 75-vjeçari ishte skenarist, regjisor, karikaturist dhe prezantues spektaklesh. Ai ka luajtur shumë role në ekran dhe në skenë, me të cilat ka fituar zemrën e mbarë publikut shqiptar.

Aktori ka studiuar dy vjet inxhinieri mekanike në Universitetin e Tiranës dhe në vitin e dytë konkurroi për dramaturgji në Akademinë e Arteve, por nuk fitoi. Në nëntor të vitit 1966 ai u thirr për shërbim të detyrueshëm ushtarak, ku punoi si aktor dhe regjisor i Estradës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë.

Në vitin 1978 Devole nisi punë në Televizionin Shqiptar si skenarist, redaktor dhe regjisor i programeve artistike, deri në vitin 1997. Përgjatë këtij viti, ai u detyrua të emigronte me familjen në SHBA.

Në vitin 2002, ai u kap nga policia italiane së bashku me mikun e tij, të akuzuar për transport heroine. Aktori u lirua nga burgu me 24 korrik të vitit 2003.

Që prej vitit 2009, i ndjeri ishte pjesë e "Top Channel", saktësisht në emisionin "Fiks Fare", në rubrikat "Wikifiks", "Koço në parlamentin europian", "Koço Kiçi në Euronews", "Koço Kiçi Show" dhe "Monitorime".

Në vitin 2013, ai u dallua për pjesëmarrjen në serialin shqiptar "O Sa Mirë".

Projektet kinematografike ku ka marrë pjesë:

Çanta e zeze 1986
Gjuetia e fundit 1992
Të gjallë apo të vdekur 1996
Çanta me nje milion 1993
Oreksi i madh 1994
Nje dite i cmendur 1995
Revolja e heroit 1996
Pushime në Romë 1996
Mos shko o trim 1997
Tre shoke pa sherbyesen 2001
Karafili dhe Kleopatra 2001
Milioneri 2005
Na ishte njehere Shqipëria 2009