Përgjatë ditëve të fundit, numri i të infektuarve me Koronavirus në vendin tonë është rritur ndjeshëm. Këtë të premte u shënua një rekord prej 489 rastesh të reja.
Situata paraqitet serioze, ndërkohë që është shtuar dhe numri i të shtruarve në spital, por a do të rikthehet karantina?
Në një intervistë për Euronews Albania, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se aktualisht nuk po mendohet për një mbyllje të plotë, siç u bë në fillim të pandemisë.
"Është një situatë shqetësuese, sepse numrat po vijnë në rritje. Kjo situatë ka të bëjë me sjelljen e virusit në këtë stinë vjeshtë-dimër, por ka të bëjë edhe me atë se qytetarët nuk po i respektojnë masat, sidomos në këtë periudhë të rritje së rasteve.
Ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendjen situatën. Problemi i shëndetit është problem kompleks, që është i lidhur me ekonominë, por edhe me problemet e tjera sociale. Ne nuk duam të mbyllemi krejtësisht siç bëmë në fillim. Këtë nuk e duam as ne dhe as qytetarët. Që në mos të arrijmë këtu nuk e kemi në dorë ne, por këtë e kanë në dorë qytetarët.
Të përdoret maska me shumë dëshirë. Njerëzit nuk e mbajnë maskën në mënyrë korrekte, vazhdojnë të qëndrojnë me orë të zgjatura në bare e restorante dhe nuk ruajnë distancën", tha ajo.
