Nga Shqipëria / E Enjte 5 Nëntor 2020, 17:05

Kërkoi të shesë veshkën tek 'Aldo Morning Show', Samijes i ndryshon jeta tërësisht

Samije Gerbeti është zonja e cila preku publikun me historinë e saj prekëse në "Aldo Morning Show". Samije deklaroi se do shiste veshkën për të përballuar jetesën. Gjatë bisedës me Aldon, Samije tha se nuk mund të paguante dot qiranë e shtëpisë pasi i mungonin të ardhurat dhe fëmijët i kishte dërguar në jetimore për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Por pas kësaj telefonate në "Aldo Morning Show", Samijes i është ndryshuar jeta tërësisht. Tashmë ajo është punonjësja më e re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, është njohur me rastin dhe u kujdes që 53-vjeçares t’i mundësohej një vend pune në QSUT.

Tashmë Samija do të punojë si sanitare në QSUT dhe puna do t’i mundësojë edhe bashkimin me fëmijët e saj.

Ajo ka falënderuar ministren dhe drejtorinë për mundësinë e dhënë. “Ju faleminderit juve dhe ministres, kaq shumë lekë sa rroga, nuk i kam parë ndonjëherë”, është shprehur 53-vjeçarja.

Burimi: tvklan.al