Një tjetër i sëmurë me koronavirus i ka dhënë fund jetës. "ABC News" ka mësuar se një 77-vjeçar me emrin Hekuran Korça është hedhur nga ballkoni i shtëpisë në katin e tretë të këtij pallati që shihni në pamje, në zonën e Shkozës.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës. I moshuari është dërguar në spitalin e traumës por pas disa orësh nuk mundi t’i mbijetojë plagëve në trup. ABC News mëson se para një jave, ai kishte dalë pozitiv me koronavirus. I moshuari u shtrua në spitalin infektiv ku iu nënshtrua terapisë mjekësore. Ditën e diel, iu nënshtrua sërish tamponit dhe kishte dalë negativ. Pas kësaj përgjigje, mesditën e së hënës, Hekuran Korça la spitalin. Por vetëm pak orë më pas, ai ndërmori aktin ekstrem.
77-vjeçari ishte baba i 5 fëmijëve dhe jetonte vetëm në banesë. Jashtë kamerave, një prej fqinjëve tregon gjendjen e 77-vjeçarit kur mbërriti në banesë nga infektivi. “E sollën atë ditë nga spitali. Edhe bombolën e oksigjenit e kishte, e kishin marrë. 4-5 ditë kishte në spital. Atë pikëpyetje kemi edhe ne. Si e nxori mjekësia nga spitali kur ai ishte pa qejf. Unë kam kontakt me nusen edhe më tha që babai nuk është keq që u rrëzua, se u rrëzua butë nëpër pemë, por ka probleme me Covid-in” tha njëri. Fqinjët shprehen të shqetësuar për përhapjen e virusit në pallatin e tyre. “Kemi plot këtu me covid, çfarë të bëjmë. Vëmë maskën edhe ja”.
Një muaj më parë, Hekuran Korça kishte humbur pas një sëmundje të rëndë një prej vajzave që jetonte në Greqi. Kjo fatkeqësi por dhe trauma e shkaktuar nga covid kanë qenë shkaqet që kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij psikologjike.
