Nga Shqipëria / E Martë 3 Nëntor 2020, 11:11

Sulmi terrorist në Vjenë/ Gazetari austriak: Njëri nga sulmuesit është me origjinë shqiptare

Gazetari austriak Florian Klenk ka deklaruar përmes një postimi në Twitter se një nga sulmuesit terrorist në Vjenë është me origjinë shqiptare. Klenk shkruan se ai ka zbuluar se emri i tij është Kurtin S. dhe se ishte 20-vjeç.

Gazetari tregon se i riu është lindur dhe rritur në Vjenë, por ka rrënjë shqiptare dhe prindërit e tij janë nga Maqedonia e Veriut.

Klenk tregon se i riu ka qenë nën vëzhgimin e Shërbimit Sekret pasi ishte mes 90 islamikëve që kishin synim të shkonin në Siri, por u ndalua në korrik.

Postimi i gazetarit: “Kam zbuluar disa detaje rreth terroristit. Emri i tij është Kurtin S., i lindur në 2000, ishte 20 vjeç, u lind dhe u rrit në Vjenë dhe ka rrënjë shqiptare. Prindërit e tij vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe nuk bien në sy kur bëhet fjalë për Islamizmin.

Ai ishte në objektivin e Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës sepse ishte një nga rreth 90 islamikë austriakë që donin të udhëtonin në Siri. U ndalua në korrik. Policia nuk e besoi që po planifikonte një sulm terrorist në Vjenë".