Nga Shqipëria / E Hënë 2 Nëntor 2020, 13:01

'Injoranca vret më shumë se Covidi', studentët në protestë, mes tyre pedagogë

Studentët janë mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit ditën e sotme për të protestuar kundër masave të marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për mbylljen e Universitetin dhe Konvikteve për shkak të epidemisë nga Covid-19.

Gazetari Maks Rama raporton për ABC News se pjesëmarrja e studentëve në protestë është e konsiderueshme. Ata shihen të mbajnë pankartat e tyre ku në disa prej tyre shkruajnë: “Injoranca vret më shumë se Covidi”.

Një prej pedagogëve në mbështetje të studentëve në protestë, u shpreh për ABC News: “Ne do të gjendemi pranë studentëve në këtë situatë. Protesta vjen pas vendimit të papritur të komitetit të ekspertëve për mbylljen e universiteteve të cilët kanë marrë vendimin pa u konsultuar me ekspertët ndërkombëtarë.


Është situatë e vështirë pasi studentët kanë vështirësi në infrastrukturë dhe jo të gjithë mund të kenë akses për të zhvilluar mësimin online. Ndërkohë që baret qëndrojnë hapur, pishinat gjithashtu, dhe mësimi nuk po zhvillohet as në mënyrë hibride ashtu siç rektorati tha në fillimi të vitit akademik se kishin marrë masat, gjë që nuk ka ndodhur.

Ndërkohë edhe kostot e pagesave janë të larta, studentët kanë probleme. Është surprizuese për mua pjesëmarrja, shumëkush mund të ndjehet i frikësuar prej covidit por studentët kërkojnë dinjitet, kërkojnë ekonomi”.

Policia ndodhet në gatishmëri dhe ka shtuar praninë e saj pranë Ministrisë së Arsimit, pasi pritet që protestës ti bashkohen e dhe studentë nga Universitete të tjera. Aksi rrugor në rrugën e Durrësit, është bllokuar nga protesta.