Nga Shqipëria / E Premte 30 Tetor 2020, 16:04

Tërmet shkatërrimtar 7 ballë godet Turqinë, shemben pallate, viktimat të shumta

Një tërmet i fuqishëm i magnitudës 7 të shkallës Rihter ka goditur këtë të premte Izmirin, Turqi. Lëkundjet e tokës shkatërruan të paktën 20 pallate të lartë në qytetin ku jetojnë më shumë se 4 milionë banorë.

Numri i viktimave thuhet të jetë i lartë. Banorët e Izmirit kanë dalë rrugëve të tmerruar nga lëkundjet e fuqishme sa shkaktuan edhe një cunami të lehtë në zonat bregdetare.

Epiqendra u regjistrua shumë pranë brigjeve veriore të ishullit grek Samos në Egje, në një thellësi 10 km. Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë, deri në Ankara e Athinë.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan shkroi në Twitter se kishte urdhëruar të gjitha kapacitetet e vendit të vihen në dispozicion të qytetarëve të prekur nga tërmeti.