Nga Shqipëria / E Mërkurë 28 Tetor 2020, 20:08

'Spitali Covid 3 është gati', Rakacolli: Ja sa shtretër dhe sa infermierë do jenë në dispozicion

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ishte e ftuar në studion e ABC News, me gazetarin Endri Xhafo. Ajo bëri me dije se kapacitetet spitalore janë duke u ezauruar, por në spitalin "Shefqet Ndroqi" janë ende 40 shtretër të lirë.

Rakacolli tha se sapo të mbushen kapacitetet në dy spitalet, do të kalohet te spitali Covid-3, i cili është gati për të filluar që në momentin e parë që do të jetë nevoja. Në këtë spital do të punojnë mbi 80 infermierë, të cilët janë duke u trajnuar për të dhënë ndihmën ndaj pacientëve të infektuar.

“Siç e kemi thënë në fillim, kur të mbushen kapacitetet plotësisht të Covid 1 dhe 2 do të kalohet tek Covid 3. Edhe pse nuk është kollaj të përgatiten strukturat, ne jemi të përgatitur dhe Covid 3 është gati për të filluar në momentin e parë që do të jetë nevoja. Ndërkohë nga 120 shtretër në “Infektiv” dhe gati 200 të tjerë tek “Shefqet Ndroqi”, janë gati 40 shtretër ende të lirë. Njerëzit shërohen dhe duhet të themi që ky është një proces dinamik.

Covid 3 dhe 4, janë menduar që do të hyjnë në veprim gradualisht. Kemi parashikuar infrastrukturën dhe kemi vendosur aparatet, kemi  menduar edhe për burimet njerëzore, janë mbi 80 infermierë, kemi mjek infeksionistë që janë duke u trajnuar, kemi specializantë që edhe ata janë në trajnim të cilët do të vihen në dispozicion të trajtimit të sëmundjes. Nuk do të hapen që në fillim 150 shtretër por do të jenë funksional 50 si fillim, dhe më pas gradualisht do të procedohet në varësi të situatës. Kujdesi në Covid 3 do të jetë një kujdes terciar nga mjekët", tha Rakacolli.