Nga Shqipëria / E Enjte 22 Tetor 2020, 22:10

100-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Rama jep lajmin e madh

Në ceremoninë e 100-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të finalizojë ndërtimin e ndërtesës së re të këtij institucioni. Ai tha se kjo rrugë u ndërpre nga tërmeti dhe Koronavirusi, ama ka nisur sërish për të shkuar deri në fund.

“Është një fatkeqësi më vete që në një moment kaq të vështirë për bibliotekën Kombëtare kur kremtimi i 100-vjetorit është një detyrim, koha e keqe në të cilën ky 100-vjetor ndodh na detyron të jemi shumë kopracë në këtë kremtim në aspektin e hapësirave. Kjo është vërtetë për të thënë faleminderit për zgjedhjen e bërë në këtë ekspozitë që është dëshmi shumë e madhe.  Shpresoj që pavarësisht kufizimeve miqtë e librit të mund të përjetojnë këtë emocion të veçantë dhe të marrin mbresën që është e radhë.

Do kishte qenë më bukur që këtë 100-vjetor ta kremtonin në godinën e bibliotekës së re kombëtare por projekti i nisur me shumë dëshirë dhe i futur në procesin e formësimit të tij, mbase gaboj por kam përshtypjen që në krahun tim të djathtë është drejtorja me të cilën kemi punuar për të futur në rrugë projektin. Rrënojat e tërmetit që duhen kthyer në shtëpi, iu mbivendos edhe goditja e rëndë për shkak të Covid-it. Megjithatë projekti e ka nisur rrugën e tij dhe unë kam besim se do të shkojë deri në fund edhe pse nuk mund ta them sot se kur po jo pa diskutim jo aq gjatë dhe aq vonë sa është vonuar deri më sot në rrugën e gjatë të kërkesës legjitime të atyre që janë të lidhur me bibliotekën për të pasur bibliotekën e re”, u shpreh Rama.