Nga Shqipëria / E Hënë 19 Tetor 2020, 23:11

Nesër kufizohet hyrja në Tiranë nga Dogana, ja rrugët që duhen ndjekur për 4 muaj

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj ka njoftuar se për katër muajt e ardhshëm segmenti rrugor në Unazën e Re, pranë rrethrrotullimit të "Shqiponjës" do të ketë një trafik të rënduar, për shkak të fazës së tretë të punimeve.

Ai ka prezantuar planin për menaxhimin e trafikut, duke thënë se qytetarët duhet të eliminojnë lëvizjet e padomosdoshme nga dogana. Automjetet që vijnë nga Durrësi mund të përdorin rrugën e Ndroqit, ndërsa nga Rrogozhina drejt rrugës së Elbasanit. Jaupaj është shprehur se do të lihet një korsi emergjence, duke qenë se jemi në periudhën e Koronavirusit dhe urgjencat mund të jenë më të shpeshta.

“Do mbajmë një korsi emergjencash ndërsa pjesën tjetër do ta menaxhojmë në tre korsi hyrjen në Tiranë. Do të menaxhojmë këtë trafik dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Rruga e Elbasanit do të na ndihmojë. I bëj thirrje drejtueseve të mjeteve që e kanë të domosdoshme të vijnë në Tiranë të gjejnë rrugë alternative. Mund të aksesohet edhe rruga e Ndroqit. Qytetarët të eliminojnë lëvizjet e pa domosdoshme nga dogana. Të përdoret edhe rruga nga Rrogozhina deri në Elbasan për të ardhur nga Rruga e Elbasanit. Nesër fillon prishja e godinave të shpronësuara për t’i hapur rrugë rrugës së Treshit. Do krijohet rrethrrotullimi në zonën e Astirit”, tha Jaupaj.

Burimi: "Abc News"