Nga dita e sotme hyn në fuqi Akti Normativ që detyron të gjithë qytetarët shqiptarë të mbajnë maska edhe në rrugë. Sipas vendimit të qeverisë, maska duhet mbajtur në rrugë, në parqe, në hyrje dhe në daljeve të bareve, restoranteve, markeve dhe në çdo ambient tjetër që nuk sigurohet dot distanca me të tjerë.
Ndërkohë në të gjithë Evropën, qeveritë po ndërmarrin kufizime të reja për të luftuar një valë të dytë të infeksioneve.
Çekia riktheu karantinën kombëtare. Brenda kësaj jave do të mbyllen bare, restorante dhe ndalohet alkooli në ambiente publike. Gjithashtu mbyllen shkollat, institucionet kulturore publike, sportive, pishina, palestra e tj. Maskat janë të detyrueshme në ambientet e jashtme ku është e pamundur ruajtja e distancës.
Në Itali hyri në fuqi plani që mbyll shërbimin në restoranteve në orën 21 dhe ambientet e tyre pas mesnate. Janë ndaluar të gjitha festat në ambiente të mbyllura e të hapura, ndërsa në ceremoni të ndryshme nuk lejohen më shumë se 30 persona. Në kinema e koncerte lejohen deri nga 200 persona në ambjente të mbyllura deri në 1 mijë në ambjente të hapura.
Në Gjermani kancelarja Merkel njoftoi kufizime të reja për numrin e njerëzve që mund të tubohen, si dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse në vende të mbushura me njerëz. Sipas masave të reja, nëse një zonë regjistron më shumë se 35 infeksione të reja për 100,000 njerëz gjatë shtatë ditëve, maskat do të bëhen të detyrueshme në të gjitha vendet ku njerëzit kanë kontakt të ngushtë. Numri i njerëzve që lejohen të mblidhen gjithashtu do të jetë i kufizuar në 25 në vende publike dhe 15 në hapësira private.
Franca vendosi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Presidenti Emanuel Macron njoftoi se qytetarët duhet të qëndrojnë brenda shtëpisë nga ora 21:00 deri në 06:00 në Paris dhe 8 qytete të tjera të mëdha. Kjo masë pritet të zgjasë për të paktën 4 javë. Kushdo që do të shkelë shtetrrethimin do të gjobitet me 135 Euro.
Një bllokim i pjesshëm hyri në fuqi edhe në Holandë ku pas orës 22:00 kafenetë dhe restorantet u mbyllën.
