Nga Shqipëria / E Mërkurë 14 Tetor 2020, 23:11

Mbyllet ambasada shqiptare në Itali, një pjesëtar i stafit infektohet me Koronavirus

Ambasada shqiptare në Itali është mbyllur përkohësisht. Një anëtar i stafit ka rezultuar pozitiv me Koronavirus dhe po merren të gjitha masat për dezinfektimin e të gjitha mjediseve.

Punonjësit e tjerë i janë nënshtruar testit Covid-19 dhe janë në pritje të rezultateve. Ambasada do të njoftojë të reja mbi rifillimin e shërbimeve ditën e nesërme.

Njoftimi i plotë

Të nderuar bashkatdhetarë!

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë njofton se nesër, datë 15 tetor 2020, Zyra Konsullore e saj pezullon përkohësisht të gjitha shërbimet.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj për këtë njoftim të menjëhershëm, i kushtëzuar nga identifikimi i një rasti pozitiv ndaj Covid-19, ju bëjmë me dije se po merren të gjitha masat për dezinfektimin e të gjitha mjediseve tona dhe mbetemi në pritje të rezultateve të testimeve të kryera për Covid-19, për të gjithë punonjësit e Ambasadës në Romë, në mënyrë që të rifillojmë shërbimin sa më parë dhe me masat e nevojshme të sigurisë. Brenda ditës së nesërme do të njoftoheni për rifillimin e shërbimeve.

Lutemi të mos paraqiteni pranë Ambasadës Shqiptare në Romë dhe të respektoni këtë njoftim duke mbrojtur në këtë mënyrë veten dhe të afërmit tuaj.

Takimi i gjithsecilit do të zhvendoset në momentin më të afërt dhe të sigurt.

Faleminderit!